Salajdin Salihu – NETËT E RAMAZANIT NË SHKUPIN E VITEVE 30-të

1

Gjatë muajit të Ramazanit njerëzit u kthehen lutjeve dhe solidaritetit. Kjo atmosferë është ndjerë shumë në Shkupin e viteve 30-të të shekullit XX. Shkupi, sikurse përshkruhet në shtypin e kohës, ishte qytet shumë më i gjallë gjatë netëve të Ramazanit, me xhami të mbushura me besimtarë, kafene plot me njerëz dhe dyqane që rrinin hapur deri në mesnatë.

Iftari paralajmërohej nga topxhiu i Gazi Babës dhe nga myezinët e 30 minareve të Shkupit. Sofra e iftarit ishte e mbushur me ushqime të llojllojshme, kryesisht orientale. Në iftar piheshin sherbete të ndryshme, lëngje prej vishnjës, kajsisë, ftoit, kumbullave, por preferohej shumë edhe shira. Në sofër kishte vend për rrush, molla, dardha, për speca të pjekur dhe domate, për turshi të ndryshme, ushqime orizi, pastërma (gjatë dimrit), mish e qofte. Nuk mungonin ëmbëlsirat, sikurse: bakllavatë, sutliashi, tatliat me hurma, tullumba – tatlitë, alixhini, bahçe – tatlitë, kazandibi, shampitja, kadaifi, taanhallvat e ndryshme, veçanërisht shamhallva (hallvë e Damaskut) etj.

“Pasi burrat ngopen mirë, shkojnë nëpër kafene, xhami ose teqe. Në pjesën e vjetër të qytetit, dyqanet dhe punëtoritë tregtare rrinë hapur deri në mesnatë”. (Çka hanë myslimanët e Shkupit në netët e Ramazanit, Vreme, 30 dhjetor 1934, f. 7)

Në kohën e teravisë rrugët dhe Çarshia e Shkupit ishin plot me njerëz. Burrat i frekuentonin kafenetë e kohës; hanin e pinin, por edhe këndonin. Edhe gratë e shijonin muajin e Ramazanit. “Gratë myslimane pasi e mbledhin sofrën dhe i vënë fëmijët në gjumë, i vënë ferexhetë dhe dalin në grupe në fqinjësi ose shkojnë te të afërmit nëpër lagjet më të largëta. Përpara shkon burri me fener në dorë, që e çon gruan deri te dera e shtëpisë”(Po aty, f. 7).

Ato, pas muhabetit dhe kafesë, ja merrnin këngës e valles, shpesh nën tingujt e defit. Vajzat e reja dhe më të shkathëta, luanin edhe çoçek, të motivuara prej grave të tjera.

Syfyri paralajmërohej nga daullet e shumta, kurse përfundimi i syfyrit nga zëri i myezinëve. Në syfyr më shumë haheshin ushqime mielli: pite, pogaçe, simite, kolpite, uçkur – pite me mish ose me djathë. Piheshin lëngje të ndryshme, por i ikej ushqimit me kripë dhe sherbeteve, sepse shkaktonin etje gjatë ditës. Syfyri përfundonte me çaj ose kafe.Gjatë muajit të Ramazanit nuk mungonte solidariteti me të varfrit, të cilëve u mungonte edhe buka. Ky muaj ishte shumë i adhuruar prej tyre.“Gjatë kohës së Ramazanit edhe koprracët më të mëdhenj e hapin qesen, sepse duhet të japin zeqatin”, prandaj “të varfrit më shumë i gëzohen Ramazanit, sepse në këto ditë nuk ndjehet skamja. Miku ja shtrin dorën mikut përzemërsisht”. (S. Doroshki, “Ramazanske veceri”, Vreme, 28.11.1937).Gjatë Ramazanit shpërndaheshin edhe ndihma të ndryshme. Hoxhallarët ndërmerrnin nisma për t’i ndihmuar familjet skamnore. Madje, derisa shkonin në xhami, u jepnin para njerëzve të varfër.Autori S. Doroshki e ka përshkruar atmosferën në Shkup gjatë Ramazanit si kohë lutjesh dhe argëtimi.“Njerëzit luten pesë herë në ditë nëpër xhamitë e shumta të Shkupit. Ata i kryejnë punët e përditshme nëpër çarshi, pa hëngër bukë, pa pirë dhe pa thithur duhan. Dhe e presin me padurim topin e Gazi Babës… Çarshia, përgjatë ditës, ka pamje të zakonshme, por gjallërohet në mbrëmje. Rrugët, që nuk janë shumë të ndriçuara, mbushen me fenerë. Grupe njerëzish shkojnë nëpër xhami për lutje. Pas lutjeve fillojnë vizitat. Burrat i mbushin kafenetë dhe çajtoret, ku radioja transmeton muzikë orientale nga Stambolli dhe Kajroja. Pleqtë me kafe, çaj dhe cigare i kujtojnë me përmallim kohërat e moçme. Të rinjtë luajnë karta dhe tavllë”.(S. Doroshki, “Ramazanske veceri”, Vreme, 28.11.1937).Nuk mungonin as kafenetë hedoniste, ku kishte muzikë dhe valle, që frekuentoheshin edhe nga pjesëtarët e besimit mysliman.
© Të drejtat e publikimit i kanë Fleta dhe autori. Ndalohet botimi në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa një leje paraprake.

One thought on “Salajdin Salihu – NETËT E RAMAZANIT NË SHKUPIN E VITEVE 30-të

Comments are closed.

Next Post

Dhjetor 1946 - SHËTITJE NË SHARR

Enj Pri 1 , 2021
Gazeta studentore “Narodni student”, e 27 dhjetorit 1946, organizonte një shëtitje në Kodrën e Diellit për studentët.Kodra e Diellit vizitohej shpesh nga turistët në vitet e 30-ta dhe 40-ta të shekullit XX dhe për çdo vit aty mbaheshin gara skijimi, ku merrnin pjesë skiatorë të njohur.

Llogaritës Zeqati

AlbanianEnglishGermanItalianMacedonianTurkish
LIVE OFFLINE
track image
Loading...